![]() | |||
Të dhënat vetjake | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Arjen Robben | ||
Datëlindja | 23 janar 1984 | ||
Vendlindja | Bedum, Holandë | ||
Gjatësia | 1.80 m (5 ft 11 in)[1] | ||
Pozicioni | Anësor | ||
Të dhënat e klubit | |||
Klubi aktual | Groningen | ||
Numri | 10 | ||
Karriera me të rinjtë | |||
1989–1996 | vv Bedum | ||
1996–2000 | Groningen | ||
Karriera me klube* | |||
Vitet | Klubi | Ndeshje | (Golat) |
2000–2002 | Groningen | 46 | (8) |
2002–2004 | PSV | 56 | (17) |
2004–2007 | Chelsea | 67 | (15) |
2007–2009 | Real Madrid | 50 | (11) |
2009–2019 | Bayern München | 201 | (99) |
2020–2021 | Groningen | 6 | (0) |
Gjithsej | 426 | (151) | |
Karriera ndërkombëtare | |||
1999 | Holanda U15 | 1 | (0) |
1999–2000 | Holanda U16 | 11 | (4) |
2000 | Holanda U17 | 3 | (1) |
2001–2002 | Holanda U19 | 8 | (2) |
2001–2003 | Holanda U21 | 8 | (1) |
2003–2017 | Holanda | 96 | (37) |
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase |
Arjen Robben (lindur më 23 janar 1984) është një ish futbollist profesionist holandez i cili luante si anësor. Ai mund të luante në të dyja krahët e mesfushës dhe njihej për shpejtësinë, driblimet dhe krosimet e tij, si dhe për gjuajtjet e sakta nga distanca nga krahu i djathtë me këmbën e majtë.
Robben e nisi karrierën si profesionist me Groningenin, ekip me të cilin ai u shpall lojtari i vitit në sezonin 2001–02 të Eredivisies. Dy vite më vonë, ai u transferua te PSV, ku u shpall "Lojtari i ri i vitit" i Holandës dhe fitoi një kampionat.[2] Një vit më vonë, shërbimet e Robben u kërkuan nga disa klube angleze dhe pas shumë negociatave të zgjatura ai u transferua te Çelsi. Debutimi i tij me klubin londinez në fillim u shty për shkak dëmtimi, por pas rikuperimit kontriboi në fitimin e dy titujve rresht në Premier League, duke u shpallur gjithashtu edhe Lojtari i muajit në nëntor 2005.[3][4] Pasi sezoni i tij i tretë në Angli u prish nga dëmtimet, Robben kaloi te klubi spanjoll Real Madrid në La Liga për 35 milionë €.
Në gusht 2009, Robben firmosi në Gjermani me Bayern München për rreth 25 milionë €[5] dhe shënoi dy gola në debutim. Në sezonin e tij debutues në Mynih, Bayern fitoi kampionatin, i pesti në tetë sezonet e fundit. Tri vite më vonë, ai shënoi golin e fitores në finalen e Ligës së Kampioneve në 2013. Ai u shpall edhe në skuadrën më të mirë të kompeticionit. Robben ka luajtur edhe në finalen e Kupës së Botës 2010, të cilën Holanda e humbi kundër Spanjës, me Robben që humbi dy raste të mira për shënim. Në 2014, ai u shpall në formacionin më të mirë të FIFPro dhe u rendit i katërti në garën e Topit të Artë.[6]
Robben ka qenë një lojtar i Holandës për 14 vite, duke luajtur 96 ndeshje e shënuar 37 gola.[7] Me tulipanët ai ka luajtur në edicionet 2004, 2008 dhe 2012 të UEFA Kampionatit Europian, si dhe në edicionet 2006, 2010 dhe 2014 të FIFA Kupës së Botës; në edicionin 2014 ai u nderua me çmimin "Topi i bronztë" dhe u përfshi edhe në ekipin All-Star. Në 2014, Robben u shpall si lojtari i katërt më i mirë i botës nga The Guardian.[8]
Robben lindi në Bedum, një qytet satelit i Groningenit, në verilindje të Holandës. Ai e filloi futbolin që në moshë të vogël, duke u bërë një përkrahës i metodës së Coerver.[9] Aftësitë e tij në kontrollin e topit dhe teknika e bënë një lojtar të vlefshëm, duke bërë që të blihej shpejt nga klubi i qytetit FC Groningen. Te Groningen, ai zhvilloi inkursionin e tij karakterisik të vrapimit nga krahu i djathtë me këmbën e majtë për në qendër, duke shënuar disa gola spektakolarë.[10]
Robben u vendos tek ekipi i parë i Groningen në sezonin 1999–2000. Ai shënoi tre gola në kampionat gjatë atij sezoni si zëvendësues. Robben u përfshi për herë të parë në ekipin e parë në nëntor 2000 nga trajneri Jan van Dijk për një ndeshje jashtë fushe ndaj Twentes, por nuk debutoi deri më 3 dhjetor në një ndeshje ndaj RKC Waalwijk; në atë ndeshje Robben hyri në fushë në minutën e 79-të në vend të të dëmtuarit Leonardo dos Santos. Ai siguroi një vend titullari gjatë dimrit. Në sezonin 2000–01, Robben shënoi dy herë dhe luajti 18 ndeshje si titullar.[11] Ai gjithashtu u shpall lojtari i vitit me klubin dhe bashkë me shokun e skuadrës, Jordi Hoogstrate, shfaqën forcën e akademisë së klubit. Robben qëndroi dhe u përmirësua ndjeshëm në sezonin 2001–02, duke shënuar gjashtë gola në 28 ndeshje.[12] Paraqitjet pozitivie me Groningenin i siguruan atij një transferim te PSV për 3.9 milionë € para fillimit të sezonit 2002–03.[2]
Sezoni 2002–03 ishte i pari i Robben me fanellën e PSV-së, në të cilën ai shënoi 12 gola dhe luajti 33 ndeshje.[11] Gjithashtu u shpall lojtari i vitit i klubit së bashku me sulmuesin Mateja Kežman, duke formuar me të një dyshe të frikshme sulmi që quhej nga tifozët e PSV si "Batman dhe Robben".[13] Robben ndihmoi ekipin të fitonte kampionatin e 17-të në histori dhe gjithashtu u nderua me çmimin "Lojtari i talentuar i vitit".[14] Pas këtij fillimi pozitiv, PSV nuk mund të mbante dot ritmin e rivalëve të tyre Ajax, duke bërë që ta mbyllin kampionatin në vendin e dytë. Robben më pas udhëtoi për në Londër për t'u takuar me trajnerin e Manchester United, Alex Ferguson. Oferta e tij ishte shumë e ulët krahasuar me kërkesat e Robben dhe PSV-së; presidenti i klubit Harry van Raaij i tregoi Manchester United-it se oferta e tyre prej 7 milionë € mund të vlente vetëm një fanellë me autografin e Robbenit. Pak pas kësaj, presideni rus i Çelsit Roman Abramovich ofroi 18 milionë € (12.1 milionë £), dhe PSV pranoi.[15] Pjesa e mbetur e sezonit të tij të fundit me PSV-në ishte një zhgënjim: ai dëmtoi muskulin e kofshës dy herë dhe humbi disa ndeshje.[16] Në fund të sezonit, Robben kishte shënuar 5 gola në 23 ndeshje në Eredivisie.[11]
Robben-it i'u desh të priste deri në nëntor 2004 për të bërë debutimin e tij zyrtar me Çelsin, kjo për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Romës gjatë fazës përgatitore, duke thyer kockën metatarsale të këmbës së djathtë pas përplasjes me Olivier Dacourt.[3] Gjatë kësaj kohe, ai i tregoi doktorëve të klubit që kishte një rritje jo të zakonshme të njërit prej testikujve të tij. Kjo gjë shtyu doktorët për t'i bërë menjëhërë kontrollin për kancerin e testikujve, por më pas gjithçka u normalizua dhe atij iu dha drita jeshile për të vazhduar.[17]
Robben provoi të ishte lojtar vendimtar në skuadër gjatë sezonit 2004–05; në nëntor 2004, ai u nderua me çmimin Premier League Lojtari i Muajit.[3][4] Ai më pas e mbylli sezonin me shtatë gola, duke vendosur një rekord personal. Ai ishte gjithashtu në listën për çmimin PFA Lojtari i ri i Vitit, por çmimi i shkoi sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney.[18][19] Robben pësoi një dëmtim të rëndë gjatë një ndeshjeje kampionati jashtë fushe kundër Blackburn Rovers, duke bërë që të humbiste progresin e skuadrës drejt fitimit të titullit dhe gjysmëfinalet e UEFA Ligës së Kampioneve.[20]
Robben u riaftësua në kohë për sezonin 2005–06, dhe ishte një pjesë e rëndësishme e ekipit në krahun e majtë të sulmit. Më 5 shkurt 2006, gjatë minutave të fundit të një ndeshjeje të Çelsit në Premier League kundër Liverpoolit, të fituar 2–0 në Stamford Bridge,[21] Robben u përfshi në një incident josportiv me portierin kundërshtar, Pepe Reina: spanjolli i vendosi dorën në fytyrë Robbenit pas disa fjalëve provokative nga ky i fundit, duke bërë që ai të shtrihej në tokë në mënyrë teatrale. Reina u nxorr nga fusha e lojës me karton të kuq për "sjellje të dhunshme" dhe pas ndeshjes komentoi se Robben "bëri mjaft mirë për të fituar një Oskar".[22] Trajneri i Liverpoolit Rafael Benítez reagoi me humor në lidhje me këtë ngjarje, duke thënë se "shpejt do të ikim në spital për të parë gjëndjen e Robbenit".[23] Kartoni i kuq i Reinas nuk u hoq nga Federata Angleze.[23] Në 28 ndeshje të luajtura, Robben shënoi gjashtë gola me Çelsin që fitoi kampionatin, për herë të dytë rresht, kjo për herë të parë në historinë e klubit.[11]
Robben u shpall lojtari i ndeshjes për performancën e tij ndaj Wigan Athletic, më 23 dhjetor 2006, ku ai dhuroi dy asiste dhe shënoi edhe golin e fitores.[24]
Më vonë, më 20 janar 2007, ai pësoi një tjetër dëmtim gjatë një ndeshjeje kampionati ndaj Liverpulit, që u mbyll në një humbje 2–0.[25] Robben u rikthye në aksion në shkurt, duke luajtur në një ndeshje ndaj Middlesbrough; gjuajtja e tij u devijua duke kaluar portierin Mark Schwarzer dhe shkoi në rrjetë duke u quajtur si autugol i shkaktuar nga Abel Xavier.[26] Robben luajti si zëvëndësues i Claude Makélélés në finalen e League Cup 2007 kundër Arsenalit dhe asistoi te goli i fitores, i shënuar nga Didier Drogba.[27] Pas kësaj, Robben shënoi një gol në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve ndaj Portos, duke ndihmuar Çelsin të avancojë në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 3–2. Në fund të muajit mars, Robben iu nënshtrua një operacioni në gju pas rikthimit nga kombëtarja dhe pritej të qëndronte jashtë fushave për katër javë.[28] Pas rikthimit, ai zhvilloi edhe dy paraqitje të tjera për ekipit, të dyja si zëvëndësues, në dy ndeshje që rezultuan vendimtare për ekipin. Ndeshja e tij e parë pas rikthimit nga dëmtimi ishte ndeshja e dytë e gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve ndaj Liverpulit, e cila shkoi në gjuajtjet e penalltive. Penalltia e tij u prit nga Pepe Reina dhe, në fund, Çelsi u mposht dhe u eliminua nga turneu.[29]
Paraqitja e fundit e Robben me fanellën e Çelsit ishte ndaj Manchester United në finalen e FA Cup 2007; ai zëvëndësoi anglezin Joe Cole gjatë pushimit midis pjesëve, por më pas u zëvendësua nga Ashley Cole në kohën shtesë me ekipin që doli triumfues.[30] Klubi spanjoll Real Madrid ishte i interesuar për dy lojtarë të Çelsit. Trajneri i asaj kohe i klubit madrilen Bernd Schuster thuhej se kishte kërkuar shërbimet e Michael Ballack, kurse presidenti i klubit në atë kohë Ramón Calderón parapëlqente Robbenin.[31] Robben u tha reporterëve të gazetës spanjolle AS: Nuk e di se kur do të arrihet marrëveshja. Do më pëlqente t'u dërgoja një mesazh tifozëve të Madridit, por nuk mundem derisa e ardhmja ime të vendoset.[32][33]
Real Madridi në fund siguroi shërbimet e Robbenit në gusht 2007.[34] Ai tregoi për uebfaqen zyrtare të Çelsit: "Ishte e vështirë për t'u larguar, pasi pata një kohë të mirë gjatë tri viteve të mia te Çelsi dhe bëra shumë shokë. Nuk kishte kohë për të thënë lamtumirë, pasi marrëveshja u mbyll të mërkurën në 10 të mbrëmjes dhe mëngjesin tjetër më duhej të udhëtoja. Nëse kam një ditë pushim do të më pëlqente të thosha lamtumirë, pasi tifozëve u kam borxh një falënderim të madh, sepse kanë qënë gjithmonë të mirë me mua. Në tri vite kam fituar të gjitha çmimet që janë për t'u fituar në Angli."[35]
Robben kompletoi transferimin e tij te spanjollët e Real Madrid më 22 gusht 2007, duke firmosur një kontratë pesëvjeçare për 24 milionë £ (35 milionë €).[36][37][38] Ai bëri debutimin e tij zyrtar me klubin më 18 shtator, duke luajtur si zëvëndësues i Raúl-it në një ndeshje të Ligës së Kampioneve kundër Werder Bremen, të cilën Reali e fitoi 2–1.[39] Debutimi i tij në La Liga erdhi pesë ditë më vonë në barazimin 1–1 jashtë fushe kundër Real Valladolid, me Robben që sërisht hyri në lojë si zëvëndësues, këtë herë në vend të Royston Drenthe.[40] Ai shënoi golin e parë me Realin më 10 shkurt 2008 në fitoren tenistike 7–0 në shtëpi kundër Valladolid.[41] Robben rezultoi vendimtar në shumë ndeshje të Real Madridit, duke kryer gjithashtu edhe inkursionet e tij karakteristike nga krahu i majtë për në qendër dhe shpejt u bë zgjedhja e parë në rolin e mesfushorit të majtë. Ai zhvilloi 28 paraqitje në sezonin debutues të tij dhe shënoi pesë gola. Real Madridi fitoi kampionatin disa javë para përfundimit, dhe ishin kampionë të Spanjës gjatë kohës që luajtën në El Clásico kundër rivalëve të Barcelonës më 7 maj 2008. Lojtarët e Barcelonës formuan gardën e nderit në momentin që lojtarët e Madridit hynë në fushën e Stadiumit Santiago Bernabéu; Robben luajti një rol të rëndësishëm në fitoren 4–1 të asaj ndeshjeje, duke shënuar golin e dytë të kampionëve.[42]
Robben vazhdoi të ishte një lojtar kyç i ekipit edhe në sezonin 2008–09, duke luajtur 35 ndeshje dhe shënuar tetë gola. Pavarësisht se ai ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit spanjoll gjatë fazës përgatitore verore të sezonit 2009–10, me tre gola të shënuar dhe katër asiste, ai sërish ishte një nga lojtarët e rrezikuar për t'u larguar pas emërimit të Florentino Pérez si president dhe mbërritjeve të yjeve si Cristiano Ronaldo dhe Kaká. Kjo gjë bëri që Real Madrid të pranonte ofertën 25 milionë € nga gjermanët e Bayern München.[43][44] Holandezi më pas pretendoi se ai u "detyrua" të largohej nga Real Madridi, duke shtuar se ai "nuk dëshironte të largohej, por klubi dëshironte ta shiste".[45]
Më 28 gusht 2009 Robben u transferua te Bayern München për rreth 25 milionë €. Atij ju dha fanella me numrin 10, që, për herë të fundit, ishte veshur nga holandezi tjetër Roy Makaay.[46][47] Më 9 mars 2010, Robben shënoi golin vendimtar në humbjen 2–3 të Bayernit (4–4 rezultati i përgjithshëm) kundër Fiorentinës, duke dërguar ekipin në çerek-finalet e Ligës së Kampioneve 2009–10 me rregullin e golit jashtë fushe.[48]
Më 7 prill 2010 Robben dërgoi skuadrën në gjysëm-finalen e Ligës së Kampioneve me një gjuajtje në ajër mahnitëse nga cepi i zonës së penalltisë kundër Manchester United; topi i goditur përfundoi në cepin e majtë të portës. Pavarësisht se ndeshja u fitua nga United 3–2, Bayern arriti të avanconte sërisht falë rregullit të golit jashtë fushe, duke fituar në shtëpi ndeshjen e parë 2–1.[49]
Më 17 prill 2010, ai shënoi tregolëshin e tij të parë në Bundesligë në një fitore 7–0 kundër Hannover 96 në Allianz Arena.[50] Më vonë më 8 maj, ai fitoi kampionatin e parë me klubin pasi shënoi dy gola në fitoren 3–1 kundër Hertha BSC, duke e mbyllur gjithashtu edhe si golashënuesi më i mirë i ekipit.[51]
Një javë më vonë, Robben luajti në finalen e DFB-Pokal kundër ish kampionëve të këtij kompeticioni, Werder Bremen, në Olympiastadion të Berlinit. Bayerni fitoi ndeshjen 4–0, me Robben që shënoi golin e parë të ndeshjes me penallti. Ai kështu kontriboi në fitimin e titullit të 15-të të 'Bavarezëve'. Më 25 maj 2010, Robben u shpall Lojtari i Vitit në Gjermani për 2010.[52] Ai u bë lojtari i katërt i huaj dhe holandezi i parë që e fiton këtë çmim. Ai e përfundoi sezonin 2009–10 me 23 gola në 37 prezenca.[53]
Sezoni 2010–11 nisi në mënyrë të dobët për Robben, pasi testet mjekësore treguan se ai nuk ishte shëruar siç duhet nga dëmtimi i kaluar dhe se do t'i duhej të qëndronte jashtë fushave për dy muaj.[54] Pronari i klubit Karl-Heinz Rummenigge deklaroi se "Sigurisht, Bayern është shumë i nevrikosur" me Shoqatën Mbretërore të Futbollit Holandez (KNVB), dhe se do të kërkonin kompensim nga ata, duke vazhduar, "Sërisht ata duhet të paguajnë faturën si një klub kur një lojtar dëmtohet seriozisht duke luajtur me kombëtaren."[54] Më 15 janar 2011, Robben u rikthye në aksion me ekipin e parë, duke luajtur si zëvëndësues në barazim 1–1 jashtë fushe me VfL Wolfsburg.
Ai u nominua për çmimin e mesfushorit më të mirë të Ligës së Kampioneve, por ky çmim i shkoi bashkëkombësit të tij, Wesley Sneijder.[55] Ai gjithashtu u nominua për çmimin prestigjoz Topi i Artë dhe FIFA Çmimi Puskás për golin më të bukur, dhe po ashtu edhe për formacionin më të mirë të FIFA-s falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse me Bayern Munich. Ai e përfundoi sezonin 2010–11 me 13 gola në 17 ndeshje.
Në ndeshjen e dytë të gjysëm-finales së Ligës së Kampioneve ndaj ish klubit të tij Real Madrid, që në atë kohë drejtohej nga José Mourinho, (ish trajneri i te Çelsi), Bayern ishte në disavantazh të dy golave, por Robben shënoi një gol me penallti duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 3–3. Bayern në fund siguroi finalen falë gjuajtjes së penalltive.[56]
Më 3 maj 2012 u raportua se Robben kishte firmosur një kontratë të re me klubin deri më 30 qershor 2015.[57]
Në finalen e Ligës së Kampioneve më 19 maj në Allianz Arena kundër Çelsit, Robben pati një mundësi të shënonte një penallti në kohën shtesë por gjuajtja e tij u prit nga Petr Čech. Nëse do të kishte shënuar, ndeshja do të kishte shkuar 2–1 në favor të Bavarezëve. Ndeshja në fund shkoi në gjuajtjet e penalltive, ku Çelsi doli triumfues.[58] Ishte finalja e katërt madhore që Robben ishte pjesë e skuadrës humbëse (finalja e FIFA Kupës së Botës, dy finale të Ligës së Kampioneve dhe DFB-Pokal). Tri ditë më vonë, në të njëjtin stadium, gjatë kohës që po luante me Holandën në një miqësore kundër Bayern Munich, ai u fërshëllye nga disa tifozë të Bayernit për çdo prekje topi që bënte (kjo për shkak të penalltisë së humbur në finalen e Ligës së Kampioneve dhe për shkak se nuk luajti me Bayernin në këtë ndeshje për shkak të vendimit të marrë nga trajneri i kombëtares Bert van Marwijk).[59] Kjo ndeshje ishte organizuar për të kompensuar Bayern-in, për shkak se klubi gjerman pagoi shpenzimet e dëmtimit të Robben gjatë një ndeshje me Holandën në Kupën e Botës 2010, dëmtim që e detyroi të humbiste disa ndeshje në sezonin 2010–11.[60] Ai e përfundoi sezonin 2011–12 duke luajtur 36 ndeshje dhe shënuar 19 gola.[61]
Robben e nisi sezonin 2012–13 duke luajtur në finalen e DFL-Supercup kundër Borussia Dortmund, të cilën Bayerni e fitoi 2–1 duke siguruar trofeun e parë të sezonit.[62] Ai e nisi sezonin në stol, me trajnerin Jupp Heynckes që preferonte Thomas Müller në krahun e djathtë dhe Toni Kroos në rolin e mesfushorit sulmues. Kjo gjë bëri që ai ta shpenzonte sezonin si zëvëndësues, por ja dha mundësia në ndeshjen e dytë të çerek-finales së Ligës së Kampioneve kundër Juventusit pasi Kroos pësoi një dëmtim. Ai më pas luajti si anësor i djathtë gjatë pjesës së mbetur të sezonit, duke zhvendosur Müllerin në qëndër.
Robben luajti si titullar në çerek-finalen e DFB-Pokal kundër Borussia Dortmund duke shënuar golin e vetëm të takimit në minutën e 43-të. Më pas në gjysëm-finalen e Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës, Robben luajti si titullar në të dyja ndeshjet dhe shënoi po në të dyja, përfshirë edhe golin e avantazhit në ndeshjen e dytë në Camp Nou. Kjo gjë solli rikthimin e Bayernit në finale ku gjeti Borussia Dortmundin. Robben shpagoi fajin e tij për penalltinë e humbur finalen e shkuar duke asistuar golin e kroatit Mario Mandžukić në minutën e 60të para se të shënonte golin e fitores 2–1 në minutën e 89të;[63] ishte trofeu i pestë i Bayernit në histori.[64] Gjatë dhënjes së trofeut, ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes nga UEFA.[65] Ai e mbylli sezonin 2012–13 me 13 gola në 31 ndeshje.[12][66]
Robben shënoi golat e parë të sezonit 2013–14 në DFL-Supercup 2013; Bayern u mposht 4–2 nga Borussia Dortmund.[67] Më 9 gusht 2013, goli hyrës i shënuar nga ai ndihmoi Bayernin të fitonte 3–1 ndaj Borussia Mönchengladbach në ndeshjen e parë të 2013–14 Bundesliga.[68] Më 17 shtator, ai shënoi golin e parë të Bayernit në Ligën e Kampioneve kundër CSKA Moskës në Allianz Arena.[69] Ai shënoi edhe dy gola të tjerë gjatë fazës së grupeve të kompeticionit; të dyja erdhën në fitoret jashtë fushe kundër Manchester Cityt[70] and CSKA[71] me Bayernin që e mbylli grupin në vend të parë. Më 23 nëntor, Robben ishte një nga tre shënuesit me Bayernin që mposht rivalët për titull Borussia Dortmund 3–0 në Westfalenstadion.[72] Më 4 dhjetor, Robben u zëvëndësua me një të çarë të thellë në gjurin e majtë gjatë fitores 2–0 jashtë fushe kundër FC Augsburg në DFB-Pokal; ky dëmtim konfirmoi mungesën e tij në Kupën e Botës për Klube 2013, ku Bayern doli fitimtar.[73]
Më 1 mars 2014, Robben shënoi një tregolësh në një fitore 5–1 në shtëpi kundër Schalke 04.[74] Më 19 mars, Robben rinovoi kontratën e tij me klubin deri në qershor 2017.[75] Më 9 prill, Robben shënoi golin e tretë të ekipit në fitoren 3–1 ndaj Manchester United në çerek-finalen e Ligës së Kampioneve, duke i siguruar kështu gjysëm-finalen e kompeticionit.[76] Më 17 maj, Robben shënoi golin e parë të ekipit në fitoren 2–0 në kohën shtesë kundër Borussia Dortmund në finalen e DFB-Pokal; me këtë fitore, Robben arriti dopietën (kampionat plus kupë) e tretë sezonale në pesë sezone me klubin. Ky gol e bëri atë lojtarin e parë në histori që shënon në tre finale të ndara të DFB-Pokal.[77] Më 13 korrik, pasi arriti vendin e tretë me Holandën në Kupën e Botës 2014, trajneri Louis van Gaal ftoi Robben që të vinte me të tek Manchester United, por kjo lëvizje nuk u krye.[78] Ai e përfundoi sezonin 2013–14 me 21 gola në 45 paraqitje.[12][79]
Në ndeshjen hapëse të Bayernit në Bundesligë, Robben shënoi një gol dhe asistoi një tjetër duke ndihmuar ekipin që të fitonte 2–1 ndaj VfL Wolfsburg më 22 gusht 2014. Më 1 nëntor, ai shënoi golin e fitores me penallti kundër Borussia Dortmund në Der Klassiker. Më 16 dhjetor, Robben shënoi golin e tij të 100të zyrtar për Bayernin në një ndeshje në shtëpi ndaj SC Freiburg.[80]
Më 21 shkurt 2015, Robben shënoi dy herë në një fitore 6–0 SC Paderborn, duke vendosur rekord si lojtar që i ka shënuar çdo klubi të Bundesligës që ai ka ndeshur.[81] Ai e përfundoi sezonin 2014–15 si golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat me 17 gola sëbashku me shokun e skuadrës Robert Lewandowski. Një faktor kryesor që bëri që Robben të mos shënonte më shumë ishte mungesa në dy muajt e fundit të sezonit për shkak dëmtimi.[82] Robben shënoi 19 gola në 30 paraqitje në të gjitha kompeticionet.[12][83]
Robben filloi sezonin 2015–16 duke shënuar një gol në ndeshjen e DFL-Supercup kundër VfL Wolfsburg.[84] Ndeshja përfundoi në barazim 1–1, por Bayern u mposht nga gjuajtjet e penalltive pavarësisht se Robben shënoi në tentativën e tij.[84]
Goli i tij i parë në Bundesligë erdhi me penallti në një fitore 3–0 ndaj Bayer Leverkusen më 29 gusht.[85] Megjithatë, një dëmtim i pësuar gjatë kohës që po luante në një ndeshje kualifikuese të Euro 2016 me Holandën kundër Islandës bëri që Robben të humbiste nëntë ndeshjet e ardhshme të ekipit.[86] Ai u rikthye në skuadër më 24 tetor, duke luajtur 65 minuta në ndeshjen kundër 1. FC Köln, ku ai gjithashtu shënoi edhe golin e parë të ndeshjes në fitoren 4–0, e 1 000ta në historinë e klubit në Bundesligë.[87] Paraqitja e tij e parë sezonale në Ligën e Kampioneve erdhi më 4 nëntor në fitoren 5–1 të ekipit kundër Arsenalit; Robben luajti si zëvëndësues.[88] Ai e përfundoi sezonin 2015–16 me shtatë gola në 22 paraqitje.[89]
Robben u rikuperua nga dëmtimi dhe u thirr për të luajtur një ndeshje miqësore me SV Lippstadt 08. Ai e nisi si titullar dhe shënoi, por u zëvëndësua në minutën e 36të me një tjetër dëmtim. Ky dëmtim, i cili zgjati gjashtë javë, detyroi holandezin të humbiste disa ndeshje. Ai u rikthye në stërvitje dhe qëndroi në stol deri më 21 shtator, ku në një ndeshje të Bundesligës kundër Hertha BSC, ai zhvilloi paraqitjen e parë zyrtare duke hyrë si zëvëndësues në vend të Thomas Müller dhe shënoi në fitoren 3–0.[90] Robben shënoi në të dyja ndeshjet e raundit të 16-tave të Ligës së Kampioneve me Bayernin që mposht anglezët e Arsenalit me rezultatin e përgjithshëm 10–2.[91][92] Ai e përfundoi sezonin 2016–17 me 16 gola në 37 ndeshje të të gjitha kompeticionet.[93]
Më 16 janar 2017, Robben firmosi një kontratë të re me klubin deri në përfundim të sezonit 2017–18.[94] Ai shënoi një gol me të djathtën për herë të parë që nga shkurti i 2015 në një fitore 4–0 me 1. FSV Mainz 05 më 16 shtator.[95] Më 18 tetor, Robben zhvilloi paraqitjen e tij të 100të në Ligën e Kampioneve në fitoren 3–0 ndaj ekipit skocez Celtic në fazën e grupit të kompeticionit.[96] Më 4 nëntor, Robben shënoi një gol mahnitës në fitoren 3–1 jashtë fushe ndaj Borussia Dortmundit në Der Klassiker duke u bërë golashënuesi më i mirë jo-gjerman i Bayernit në Bundesligë dhe holandezi me më shumë gola po në Bundesligë.[97][98] Pas kësaj, më 6 shkurt 2018, ai shënoi një dygolësh në fitoren 6–0 jashtë fushe kundër SC Paderborn duke ndihmuar Bayernin të arrinte gjysëm-finalen e DFB-Pokal.[99] Robben fitoi titullin e 7të të Bundesligës dhe kampionatin e 11të në karrierë duke thyer rekordin e holandezit tjetër Johan Cruyff, i cili fitoi 10 kampionate.[100][101] Ai e përfundoi sezonin 2017–18 me shtatë gola në 34 ndeshje.[102]
Më 11 maj 2018, Robben firmosi një kontratë të re një-vjeçare me klubin, duke zgjatur qëndrimin e tij deri në fund të sezonit 2018–19.[103]
Robben nisi sezonin më 12 gusht duke luajtur për 58 minuta në ndeshjen e 2018 DFL-Supercup kundër Eintracht Frankfurt; Bayerni siguroi titullin duke fituar 5–0.[104] Më 2 dhjetor 2018, Robben konfirmoi se do të largohej nga Bayern pas përfundimit të sezonit.[105][106]
Më 4 korrik 2019, Robben njoftoi vendimin e tij për t'u tërhequr nga futbolli.[107]
Më 27 qershor 2020, Robben njoftoi rikthimin e tij në futboll, duke firmosur me klubin e tij të parë si profesionist Groningenin.[108] Ai shënoi golin e parë me ekipin në një ndeshje miqësore para-sezpnale kundër ekipit gjerman Arminia Bielefeld.[109] Më 13 shtator, Robben luajti ndeshjen e tij të parë në Eredivisie për sezonin 2020–21 kundër PSV-së, por u zëvëndësua pas vetëm 28 minutash për shkak të një dëmtimi.[110] Ai u rikthye nga dëmtimi pas gati shtatë muajsh duke u aktivizuar si zëvëndësues në ndeshjen kundër Heerenveenit më 11 prill 2021.[111] Më 9 maj, Robben asistoi dy gola në fitoren 4–0 kundër Emmen.[112]
Në korrik 2021, Robben njoftoi tërheqjen e dytë dhe finale nga futbolli.[113]
Robben bëri debutimin e tij zyrtar me Holandën në prill 2003 në një ndeshje miqësore me Portugalinë në moshën 19 vjeç.[114]
Turnamenti i parë madhor i Robbenit ishte UEFA Euro 2004 ku ai u thirr nga trajneri Dick Advocaat si një nga lojtarët e rinjë të skuadrës, sëbashku me lojtarë si Wesley Sneijder dhe John Heitinga. Gjatë fazës së grupeve të turnamentit, Advocaat aktivizoi Robbenin në fushën e lojës në minutën e 66të për të mbrotjur avantazhin 2–1 ndaj Republikës Çeke. Megjithatë, çekët shënuan dy gola dhe fituan 3–2, duke bërë që vendimi i Advocaat të kritikohej.[115] Në çerek-finale, Robben shënoi penalltinë e pestë dhe vendimtare në fitoren me penallti të holandezëve kundër Suedisë.[116]
Robben luajti ndeshjen e tij kualifikuese të Kupës së Botës 2006 më 17 nëntor 2004, duke shënuar një gol në fitoren 3–0 jashtë fushe ndaj Andorrës.[117] Gjithsej ai luajti gjashtë ndeshje kualifikuese dhe shënoi dy gola; Holanda e mbylli grupin 1 në vend të parë pa asnjë humbje, duke siguruar kështu vendin për në finalet e turnamentit.[118] Robben u përfshi në listën finale prej 23 lojtarësh nga trajneri Marco van Basten,[119] dhe bëri debutimin e tij më 11 qershor 2006 në ndeshjen e parë të Holandës në Grupin C kundër Serbisë dhe Malit të Zi; ai shënoi golin e vetëm të takimit, atë të fitores 1–0, duke u shpallur gjithashtu edhe lojtari i ndeshjes.[120] Ai u shpall lojtari i ndeshjes edhe në takimin e dytë, atë ndaj Ishujve Faroe, në një fitore tjetër të Holandës, duke u bërë një nga tetë lojtarët e turnamentit që e fitojnë më shumë se një herë këtë çmim.[121]
Gjatë Euro 2008, trajneri i kombëtares Marco van Basten ndryshoi modulin e skuadrës duke kaluar në 4–2–3–1; ai preferoi treshen Rafael van der Vaart, Wesley Sneijder dhe Dirk Kuyt në mesfushë duke lënë Robben të duelonte me Robin van Persien për një pozicion si anësor. Në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Francës, të cilën Holanda e fitoi 4–1,[122] Robben u aktivizua në fillim të pjesës së dytë; ai i mori topin një mbrojtësi kundërshtar dhe filloi një inkursion, duke bërë që të ndiqej nga tre lojtarë, dhe më pas krosoi tek van Persie, i cili lëshoi një gjuajtje të fuqishme duke mposhtur Grégory Coupet. Megjithatë, Thierry Henry shkurtoi shifrat në 2–1, por menjëherë pas rifillimit të ndeshjes, Sneijder kombinoi me Robben në afërsi të zonës, me këtë të fundit që lëshoi një gjuajtje të fuqishme, që pavarësisht këndit të vështirë, përfundoi në trekëndësh duke mposhtur edhe një herë Coupet.
Robben u zgjodh nga trajneri Bert van Marwijk si një nga 23 lojtarët që do të luanin në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut.[123][124] Në ndeshjen e fundit miqësore të ekipit para fillimit të turnamentit kundër Hungarisë më 4 qershor, Robben u rrëzua keq dhe dëmtoi kofshën, duke shkaktuar shqetësim rreth gjëndjes së tij para turnamentit.[125] Një ditë më vonë, Van Marwijk deklaroi se ai kishte vendosur "që të mos merrte asnjë zëvëndësues për Arjenin" dhe se "donte ti jepte atij çdo mundësi për të marrë pjesë në Kupën e Botës".[126] Më 12 qershor, Robben ju bashkua ekipit në Afrikën e Jugut.[127] Ai ishte një zëvëndësim i papërdorur në ndeshjen e parë të ekipit kundër Danimarkës që u mbyll me fitoren e portokallinjëve 2–0; ai qëndroi në stol edhe në ndeshjen e dytë, një fitore 1–0 ndaj Japonisë. Paraqitja e tij e parë erdhi në ndeshjen e tretë të grupit, në fitoren 2–1 ndaj Kamerunit ku ai hyri në fushën e lojës në minutën e 73të dhe mori pjesë në aksionin e golit të dytë, pasi gjuajtja e tij që përfundoi në shtyllë u kthye në një 'rebound' për Klaas-Jan Huntelaar.[128]
Më 29 qershor 2010, Robben luajti ndeshjen e parë si titullar ndaj Sllovakisë në raundin e 16-tave, ndeshje në të cilën ai shënoi edhe golin e parë duke ndihmuar Holandën të fitonte 2–1.[129] Robben ishte në listën e shënuesve edhe në ndeshjen gjysëm-finale ndaj Uruguajit; ai shënoi golin e tretë të ekipit të tij me një gjuajtje shumë të saktë me kokë duke kontribuar në fitoren 3–2 të ekipit, çka i siguroi edhe finalen.[130] Robben luajti si titullar të gjithë finalen të cilën Holanda e humbi me rezultatin 1–0 ndaj Spanjës.[131] Ai pati mundësinë më të mirë të Holandës për të shënuar kur në minutën e 62të ai doli një për një me portierin pas një pasimi të Sneijder, por gjuajtja e tij u prit nga Iker Casillas.[132] Robben u nominua për çmimin Topi i artë i Kupës së Botës 2010, që i jepej lojtarit më të mirë të turnamentit; ky çmim u fitua nga Diego Forlán i Uruguajit.
Robben ishte një nga 23 lojtarët që u thirr për të luajtur me Holandën në Euro 2012.[133][134] Ai luajti si titullar në ndeshjen e parë të ekipit në Grupin B, një humbje shokuese 1–0 ndaj Danimarkës, në të cilën ai goditi edhe shtyllën pas një gjuajtje me hark.[135] Në ndeshjen e dytë, ku Holanda po pësonte një humbje tjetër, këtë herë nga Gjermania me rezultatin 2–1,[136] pasi u zëvëndësua nga Dirk Kuyt, Robben kapërceu tabelat reklamuese dhe bëri një rrugë të shkurtër sepse mendonte se zëvëndësimi ishte i panevojshëm dhe ai mund të frymëzonte vetë ekipin drejt fitores.[137] Holanda u eliminua nga turnamenti pasi humbi edhe ndeshjen e tretë të grupit nga Portugalia me të njëjtin rezultat.[138]
Në ndeshjen e parë të Holandës në Kupën e Botës 2014, Robben shënoi një dygolësh në fitoren fantastike 5–1 ndaj Spanjës.[139] Goli i dytë ishte një inkursion personal i tij, me Robben i cili fitoi topin në mesfushë dhe "dogji" me vrap dyshen e mbrojtjes spanjolle Sergio Ramos dhe Gerard Piqué përpara se të kalonte edhe portierin Iker Casillas; gjatë vrapimit ai kaloi shpejtësinë 31km/h.[140] Në ndeshjen e dytë të Holandës në fazën e grupeve, një fitore 3–2 ndaj Australisë, Robben shënoi golin e parë të ndeshjes duke kontribuar në avancimin e ekipit në raundin me eliminim direkt.[141][142] Në ndeshjen e raundit të 16-tave ndaj Meksikës, Holanda fitoi një penallti të dhuruar pas rrëzimit të Robben pas një ndërhyrje të Rafael Márquez. Associated Press tha se rrëzimi "teatral" i Robben "shpërndau pak më shumë debatin rreth repucationit të tij për simulim".[143] Robben deklaroi se penalltia ishte korrekte por pranoi se u rrëzua lehtë para këtij episodi, duke i treguar një televizioni holandez se "kjo në fund ishte penallti, por e para në pjesën e parë ishte simulim. Unë nuk duhej ta bëja atë gjë".[144]
Në çerek-finale, Robben shënoi penalltinë e dytë të ekipit në fitoren 4–3 me penallti ndaj Kosta Rikës.[145] Më 11 korrik, Robben ishte një nga dhjetë kanditatët për të fituar çmimin Topi i artë i Kupës së Botës 2014 si lojtari më i mirë i turnamentit.[146]
Më 28 gusht 2015, Robben u emërua kapiteni i ri i Holandës, duke zëvëndësuar sulmuesin Robin van Persie.[147] Më 10 tetor 2017, ai deklaroi pensionimin nga kombëtarja pasi kjo e fundit dështoi të siguronte një vend në Kupën e Botës 2018.[148] Në ndeshjen e tij të fundit, e cila ishte edhe ndeshja e fundit kualifikuese e Holandës, ai shënoi një dygolësh në fitoren 2–0 ndaj Suedisë.[149]
Robben është cilësuar si një nga anësorët më të mirë të botës nga ESPN FC, që ka shkruajtur se ai është "i aftë përballet dhe të mposhtë mbrojtësit pa asnjë hezitim", duke shtuar se "aftësia e tij për të shkuar në rreshtin e parë dhe për të dërguar një kros të sakt i fut frikën çdo mbrojtjeje".[150][151] Ai zakonisht luante si anësor i djathtë, dhe njihej për depërtimet e tij dhe inkursionet për në qendër dhe zakonisht gjuante me të majtën kur ishte në një pozicion më qëndror; ai përdorte shpejtësinë dhe driblimet për të kaluar mbrojtësit me qëllim për të gjetur një pozicion të përshtatshëm në qendër për të goditur.[152]
Robben është një lojtar i klasit botëror. Ai mundet, me sa dimë ne nga përvoja, të vendosi një ndeshje i vetëm. Për ta ndaluar atë, duhet ta dyfishojmë.
—Kevin Großkreutz Borussia Dortmund duke folur rreth taktikës së dy lojtarëve për të mbrojtur Robben.[153]
Ai ishte një lojtar që godiste kryesisht me të majtën.[154] Gjatë ndeshjeve ai kalonte në të majtë duke ndërruar pozicionin me shokun e tij të skuadrës, Franck Ribéry, i cili kalonte në të djathtë. Një tjetër faktor i stilit të tij të lojës ishte edhe marrëdhënia me mbrojtësin e djathtë. Te Bayern, partneriteti i tij me Philipp Lahm ka qënë fitimprurës për saktësinë e ekipit dhe bashkëpunimin. Puna e tij në mbrojtje u përmirësua pas mbërritjes te Bayerni, duke bërë që ai të tërhiqej mbrapa dhe të mbulonte zonën e lënë bosh nga një mbrojtës kur ai (mbrojtësi) dilte përpara në sulm duke u bërë një mbrojtës i djathtë i përkohëshëm.[152]
Parapëlqej të jem i drejtë dhe të them se në pjesën e parë u dha një faull kur unë u rrëzova në tokë pasi kundërshtari hoqi këmbën në momentin e fundit... Nuk ka lidhje fare me lojën dhe penalltia ishte penallti e qartë. Kërkoj ndjes për veprimet e mia në pjesën e parë por ky është futbolli...
— Robben pranon se simuloi ndaj Meksikës në 2014, por argumenton se ndodhi vetëm gjatë pjesës së parë më pak vendimtare.[155]
Robben është kritikuar shpesh për simulime, kritika të cilat ai i ka pranuar hapur në disa raste.[156][157][158][159] Në dhjetor 2011, Robben kërkoi falje për një simulim në një ndeshje të DFB-Pokal kundër VfL Bochum ku ai u ndëshkua edhe me karton të verdhë.[160] Në korrik 2014, Robben pranoi se simuloi gjatë pjesës së parë të ndeshjes së raundit të 16-tave ndaj Meksikës në Kupën e Botës 2014, por shtoi se nuk simuloi për penalltinë vendimtare të dhënë në kohën shtesë që i dha fitoren Holandës 2–1.[156] Pas incidentit, ish trajneri i tij tek Çelsi, José Mourinho, tha se shpejtësia dhe krijueshmëria e Robbenit i detyron lojtarët, të cilën nuk munden dot ta ndalin, të shkaktojnë faulle ndaj tij, "por ndonjëherë [Robben] përpiqet të marrë avantazhin, ose të fitojë ndonjë penallti".[161]
Robben u martua me të dashurën e tij Bernadien Eillert më 9 qershor 2007 në Groningen.[162] Ata të dy u njohën në gjimnazin Kamerlingh Onnes,[163] dhe sëbashku kanë tre fëmijë: dy djem, Luka (lindur në 2008) dhe Kai (lindur në 2012), edhe një vajzë, Lynn (lindur në 2010).[164][165] Babai i tij, Hans, punon aktualisht si agjenti i tij.[166]
Rethanat e takimit të parë të Robben me Bernadien u tregua nga ish trajneri i tij tek të rinjtë, Barend Beltman: Arjen ishte i shtyrë dhe i vendosur në moshë të re. Ai ishte gjithmonë në kohë, asnjëherë me vonesë. Por në një mbasdite të premteje ai erdhi 15 minuta pas fillimit të stërvitjes. E pyeta se çfarë kishte ndodhur. 'Neve ishim në një shesh tregu, duke u argëtuar', tha ai. Ishin edhe disa vajza me të si shoqe, kështu që e pyeta, 'A ja vlente ajo?' 'Po trajner, ajo ja vlente,' më tha. I thash që të bëhej gati dhe të niste stërvitjen. Në dasmën e tij, dëgjova që vajza që kishte njohur atë ditë ishte tani gruaja e tij dhe mamaja e fëmijëve të tij. Bernadien është emri i saj."[167]
Robben ka një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë gjermane të veshjeve dhe pajisjeve sportive Adidas.[168] Ai gjithashtu është edhe në lojën kompjuterike FIFA, dhe ishte lojtari i tretë me nivelin më të lartë në FIFA 15.[169]
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Evropa | Tjetër | Gjithsej | ||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Divizioni | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | ||
Groningen | 2000–01 | Eredivisie | 18 | 2 | 0 | 0 | — | — | 18 | 2 | ||
2001–02 | 28 | 6 | 6 | 4 | — | — | 34 | 10 | ||||
Gjithsej | 46 | 8 | 6 | 4 | — | — | 52 | 12 | ||||
PSV | 2002–03 | Eredivisie | 33 | 12 | 3 | 0 | 4[a] | 1 | 1 | 0 | 41 | 13 |
2003–04 | 23 | 6 | 2 | 0 | 8[b] | 2 | 1 | 1 | 34 | 9 | ||
Gjithsej | 56 | 18 | 5 | 0 | 12 | 3 | 2 | 1 | 75 | 22 | ||
Chelsea | 2004–05 | Premier League | 18 | 7 | 2 | 0 | 5 | 1 | 4[c] | 1 | 29 | 9 |
2005–06 | 28 | 6 | 4 | 1 | 6[a] | 0 | 2[d] | 0 | 40 | 7 | ||
2006–07 | 21 | 2 | 4 | 0 | 7[a] | 1 | 4[e] | 0 | 36 | 3 | ||
Gjithsej | 67 | 15 | 10 | 1 | 18 | 2 | 10 | 1 | 105 | 19 | ||
Real Madrid | 2007–08 | La Liga | 21 | 4 | 2 | 1 | 5[a] | 0 | 0 | 0 | 28 | 5 |
2008–09 | 29 | 7 | 0 | 0 | 6[a] | 1 | 2[f] | 0 | 37 | 8 | ||
Gjithsej | 50 | 11 | 2 | 1 | 11[a] | 1 | 2 | 0 | 65 | 13 | ||
Bayern München | 2009–10 | Bundesliga | 24 | 16 | 3 | 3 | 10[a] | 4 | — | 37 | 23 | |
2010–11 | 14 | 12 | 2 | 1 | 2[a] | 0 | 0 | 0 | 18 | 13 | ||
2011–12 | 24 | 12 | 3 | 2 | 9[a] | 5 | — | 36 | 19 | |||
2012–13 | 16 | 5 | 5 | 4 | 9[a] | 4 | 1[g] | 0 | 31 | 13 | ||
2013–14 | 28 | 11 | 5 | 4 | 10[a] | 4 | 2[h] | 2 | 45 | 21 | ||
2014–15 | 21 | 17 | 2 | 0 | 7[a] | 2 | 0 | 0 | 30 | 19 | ||
2015–16 | 15 | 4 | 3 | 0 | 3[a] | 2 | 1[g] | 1 | 22 | 7 | ||
2016–17 | 26 | 13 | 3 | 0 | 8[a] | 3 | 0 | 0 | 37 | 16 | ||
2017–18 | 21 | 5 | 4 | 2 | 9[a] | 0 | 0 | 0 | 34 | 7 | ||
2018–19 | 12 | 4 | 2 | 0 | 4[a] | 2 | 1[g] | 0 | 19 | 6 | ||
Gjithsej | 201 | 99 | 32 | 16 | 71 | 26 | 5 | 3 | 309 | 144 | ||
Groningen | 2000–01 | Eredivisie | 6 | 0 | 0 | 0 | — | 1[i] | 0 | 7 | 0 | |
Gjithsej karriera | 426 | 150 | 55 | 22 | 113 | 32 | 20 | 5 | 614 | 209 |
Burimi: [173]
Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Holanda | 2003 | 3 | 1 |
2004 | 8 | 2 | |
2005 | 6 | 3 | |
2006 | 10 | 2 | |
2007 | 4 | 0 | |
2008 | 6 | 2 | |
2009 | 8 | 1 | |
2010 | 7 | 4 | |
2011 | 1 | 0 | |
2012 | 10 | 2 | |
2013 | 10 | 5 | |
2014 | 13 | 6 | |
2015 | 2 | 2 | |
2016 | 1 | 1 | |
2017 | 7 | 6 | |
Gjithsej | 96 | 37 |
PSV
Chelsea
Real Madrid
Bayern München
Holanda
![]() |
Wikimedia Commons ka materiale multimediale në lidhje me: Arjen Robben. |