Glauku apo i njohur edhe si Glaukia (vdekur rreth vitit 295 p.e.s.[1] ) ishte një mbret ilir nga fisi i taulantëve që rimëkëmbi shtetin ilir të themeluar prej Bardhylit dhe i cili kishte marre pjese në fushatat e Aleksandrit.[2] Sundoi mes viteve 325-302 p.e.s. Deri në vitin 325 ishte prijës i taulantëve. Në vitin 335 kishte ndihmuar Klitin për marrjen e Pelionit. Pas vdekjes së Aleksandrit të Maqedonisë çliroi krahinat në rajonin përreth Liqenit Lihnid, i bashkoi me zotërimet e veta dhe u bë mbret i ilirëve.
Ndoqi një politikë kundër maqedonëve edhe në Epir. Për këtë u afrua me lidhje martesore me mbretin molos Aiakidin dhe kur ky u rrëzua nga pushteti në vitin 317 p.e.s., mori nën mbrojtjte të birin e tij dyvjeçar, Pirron. Nuk pranoi t’ia dorëzonte Pirron mbretit maqedon Kasandrit as kur i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talantesh, as kur ai e kërcënoi me luftë.
Në vitet 314-312 Glauku luftoi me sukses kundër Kasandrit për Apoloninë e Dyrrahun, duke pasur edhe ndihmën e korkyrasve. Tre vjet më vonë hyri në Epir, mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon të kryesuar nga ungji i Pirros, Alketi dhe vuri në krye të shtetit molos Pirron 12-vjeçar.
Glauku përmendet si mbret ilir deri në vitin 302 p.e.s. Gjatë sundimit të tij shteti ilir u bë e vetmja forcë e rëndësishme në Ballkan që iu kundërvu Maqedonisë dhe ndikoi në ngjarjet kryesore politike të kohës.
Në vitin 317 p.e.s. Glauku mundi të ngjitej në pushtet deri në pozitën e mbretit të taulanteve. Ai pastaj u përpoq për një aleancë me Mbretërinë Mollose të Epirit. Prandaj edhe i dha princit molos Pirro azil dhe adoptoi atë në mënyrë që të forcojë këto pretendime kundër partisë promaqedonase në Epir. Pirro u be me vonë vërtetë mbreti i Epirit.