Fatos Lubonja | |
---|---|
U lind më | Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë | 27 prill 1951
Kombësia | Shqiptar |
Edukimi | Universiteti i Tiranës |
Gjinitë letrare | memuaristikë, publicistikë |
Punët e shquara | Ridënimi |
Çmime |
|
Vite aktiv | 1994 - sot |
Fatos Lubonja (Tiranë, 27 prill 1951) është shkrimtar, disident, përkthyes, botues i shtëpisë botuese Përpjekja dhe revistës me të njëjtin emër, si dhe analist aktiv shqiptar.
U lind më 27 prill 1951 në Tiranë në një familje funksionarësh të Partisë së Punës, i biri i Todi dhe Liri Lubonjës. I ati kishte qenë drejtor i Radio Televizionit Shqiptar,[1] ndërsa e ëma qe punonjëse e Institutit të Historisë.[2] Kur ka qenë 16 vjeç u dënua për riedukim në Laç.[1] I ati më 1974 u arrestua dhe u dënua me burg pas Festivalit të 11 të Këngës, me akuzën për "për futjen e ndikimeve dekadente që vinin në opozicion me vijën e Partisë në muzikë."[3] Po atë vit që Fatosi kishte përfunduar studimet për fizikë teorike në Universitetin e Tiranës, Fatosi u arrestua për "agjitacion dhe propagandë" sepse gjetën të fshehura shkrime kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim. Dënimin nisi ta shlyente në minierën e bakrit të burgut të Spaçit.[4]
Më 1979 ende i burgosur, u dënua sërish edhe me 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 17 mars 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim.[4]
Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën "Përpjekja".[4] Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci.
Dy veprat e tij që i shkroi gjatë burgimit, dramae shkruar në Burrel në vitet 1988-1989[4] Ploja e mbrame dhe Në vitin e shtatëmbëdhjetë u botuan më 1994. Megjithëse më e dashur për të, e para u përcoll gati në heshtje; ndërsa e dyta ngaqë përbën një ditar burgu u përcoll me kërshëri e madje u botua i plotë në Itali.[5] Libri tjetër memuaristik, Ridënimi u botua në Tiranë më 1996, u përkthye në anglisht dhe u botua në Londër më 2009.[4] Përmbledhja e tij publicistike Liri e kërcënuar: publicistika e viteve 1991–1997 u botua më 1999.[4]
I shquar për qëndrimin e tij, Lubonja ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të faktorëve politikë dhe shoqërorë, nga lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha,[6] ai i Partisë Socialiste Edi Rama,[7][8][9] te kryetari i AKK-së Ramush Haradinaj,[10][11] i Aleancës Kuq e Zi[12] si dhe shkrimtarit Ismail Kadare.